Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj shtatë personave të arrestuar nga policia në zonën e Gjirit të Lalëzit, ku u kapën në posedim armësh zjarri. Të pandehurit do të gjykohen për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit” dhe “Moskallëzim krimi”, ndërsa disa prej tyre rezultojnë të jenë në kërkim për çështje të tjera penale brenda dhe jashtë vendit.
Sipas dosjes hetimore, Xhevdet Plaku, i njohur si “Akili”, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për trafik droge dhe dyshohet se ishte arratisur nga burgu i Ankonës në janar 2025. Ndërkohë, Flobens Meçe, i njohur me disa identitete, kërkohej nga SPAK për vepra të lidhura me organizata kriminale dhe sigurimin e kushteve për kryerje vrasjeje. Po ashtu, ndaj Voltan Xhanit ishte caktuar më herët masa “arrest në burg” në lidhje me një hetim për trafik mjetesh motorike dhe një ngjarje të rëndë kriminale në Shkodër.
Katër personat e tjerë, Jurgen Xhani, Oltion Hasani, Fatjon Qesja dhe Alfred Hasanaj, akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahje të autorëve të krimit”. Gjatë kontrollit fizik ndaj të arrestuarve, policia sekuestroi disa armë zjarri pistoletë të gatshme për qitje, si dhe dokumente të falsifikuara, të cilat tashmë përfshihen në dosjen e dërguar për gjykim.