Autoritetet italiane kanë bërë publike foton e shqiptarit Nazif Muslija, i cili dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij, Sadjide Muslija. 49-vjeçarja me origjinë nga Maqedonia e Veriut u gjet e pajetë në banesën e saj në provincën e Ankonës.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ajo ka humbur jetën si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti. Alarmi u dha nga punëdhënësi i Sadjides, pasi ajo nuk ishte paraqitur në punë. Pasi policia ndërhyri në banesë, e gjeti viktimën të shtrirë në shtrat me shenja dhune.
Ndaj 50-vjeçarit kishte pasur masa edhe më herët: në prill ai ishte arrestuar pas një episodi tjetër të rëndë, ku kishte thyer derën e dhomës së gjumit me sëpatë, ndërsa Sadjide ishte detyruar të strehohej tek fqinjët. Ajo kishte deklaruar se prej dy vitesh përjetonte dhunë fizike nga bashkëshorti.