Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar licencimin paraprak të Jet Bank, institucioni i parë financiar që synon të operojë plotësisht në mënyrë digjitale në Shqipëri. Banka është themeluar në shtator të këtij viti me kapital fillestar 3.5 milionë lekë dhe zotërohet nga sipërmarrësi izraelito-britanik Idan Avishai. Në krye të menaxhimit do të jetë Fatbardha Rino, një emër i njohur në sektorin bankar shqiptar, e shoqëruar në bord nga dy anëtarë të tjerë me origjinë izraelite.
Me miratimin paraprak të marrë nga Banka e Shqipërisë, Jet Bank ka deri në 12 muaj kohë për të plotësuar të gjitha kërkesat teknike, financiare dhe rregullatore përpara se të marrë licencën përfundimtare dhe të nisë aktivitetin në treg. Sipas dokumentacionit në QKB, banka parashikon të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh financiare nga menaxhimi i aseteve e transaksioneve, deri te konsulencat ekonomike dhe aktivitetet e tjera të lejuara nga ligji të gjitha të orientuara drejt platformave digjitale.
Jet Bank bëhet subjekti i dytë që hyn në tregun bankar shqiptar pas Ziraat Bank, duke shënuar një prirje të re zgjerimi pas një dekade përqendrimi, gjatë së cilës numri i bankave ra nga 16 në 11 përmes blerjeve dhe përthithjeve. Me hyrjen e bankave të reja dhe interesin në rritje ndaj tregut, pritet që vitin e ardhshëm numri i bankave tregtare në vend të arrijë në 13, duke sjellë më shumë konkurrencë dhe diversitet në shërbimet financiare.