Kampi i qendrave të emigrantëve në Gjadër, po përballet me kritika të forta së fundmi, si nga shkeljet e standardeve ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, ashtu edhe për parregullsi financiare.
OKB: Shqipëria pa hetime të pavarura për rastet e torturës në Gjadër
Komiteti i OKB-së kundër Torturës në një raport të publikuar më 28 nëntor të 2025 përveç gjetjeve në Argjentinë, Bahrain dhe Izrael dokumentoi edhe gjetje të sjelljeve jonjerëzore degraduese të Shqipërisë.
Pavarësisht se vendi ynë aderon në Konventën kundër Torturës, Komiteti i OKB – së shprehet i shqetësuar në lidhje me mungesën e qartësisë lidhur me juridiksionin që rregullon qendrat e emigrantëve në Lezhë. Komiteti i kërkoi Shqipërisë që Mekanizmi Kombëtar Parandalues (NPM) i Shqipërisë të ketë akses të plotë dhe të pakufizuar në këto struktura, sipas Protokollit Opsional të Konventës. Ai theksoi se detyrimet e shtetit palë vazhdojnë të aplikohen pavarësisht menaxhimit ose juridiksionit të qendrave, pasi këto struktura ndodhen në territor sovran shqiptar.
Komiteti u shpreh kritik për mungesën e vazhdueshme të të dhënave të besueshme dhe të ndara sipas kategorive mbi hetimet për torturë, keqtrajtim dhe përdorim të paligjshëm të forcës nga policia, si dhe mungesën e hetimeve të pavarura dhe si pasojë mungesën e llogaridhënies për autorët.
Komiteti kërkoi që Shqipëria të sigurojë hetime të shpejta, të plota dhe të pavarura për çdo rast torturë apo keqtrajtim, të pezullojë përkohësisht punonjësit e dyshuar gjatë hetimit, të ndjekë penalisht përgjegjësit dhe t’u garantojë viktimave dëmshpërblim të drejtë. Po ashtu, i kërkoi shtetit të mbledhë dhe të publikojë të dhëna të sakta dhe të detajuara për këto hetime.
ActionAid denoncon parregullsitë financiare në Gjadër
Action Aid, një organizatë ndërkombëtare jo qeveritare për të drejtat e njeriut, denoncoi shpërdorimin e fondeve publike për kampin në Gjadër, në Gjykatën e Llogarive të Italisë.
Sipas të dhënave të projektit Trattenuti të Universitetit të Barit, ka dyshime serioze për parregullsi në tenderin 133 milionë euro për menaxhimin e këtyre strukturave.
Sipas raportit nga Action Aid, që nga miratimi i protokollit Itali-Shqipëri, fondet për projektin janë rritur nga 39.2 milionë euro në 65 milionë; më pas Ministria e Mbrojtjes ka hapur tendera me vlerë 82 milionë euro, ka nënshkruar kontrata për mbi 74 milionë dhe ka disbursuar mbi 61 milionë euro – kryesisht me procedura të dhënies direkte.
Deri në mars 2025 ishte aktivizuar vetëm 39% e kapacitetit zyrtar, ndërkohë që kostot janë shumë më të larta se ato të qendrave të ngjashme në Itali.
“Në Gjadër, mbajtja operative e një krevati për dy muaj kushtoi rreth 1,500 euro, pothuajse sa shpenzimet vjetore për një krevat në CPR-në e Modicas në Itali”’ citohet në raport.
Sipas denoncimeve të kësaj organizate, deri në fund të vitit 2024, kostoja ditore për çdo të ndaluar në Gjader ishte gati trefishi i asaj në CPR-të brenda Italisë, edhe pse 20% e vendeve në Itali mbeteshin të lira.
Shpenzimet shtesë përfshijnë mbi 2.6 milionë euro nga Ministria e Mbrojtjes për anijen Libra, udhëtimet dhe dietat e personelit ushtarak, 630,000 euro nga Ministria e Brendshme për transfertat dhe teknologjitë e kontrollit, si dhe kontrata prej gati 2 milionë eurosh të Ministrisë së Drejtësisë për burgun e Gjaderit, i cili mbetet 30% i papërfunduar dhe asnjëherë i përdorur.
ActionAid përmbyll se këto parregullsi dhe kostot e pajustifikuara kërkojnë hetim të plotë nga Gjykata e Llogarive dhe Autoriteti Kombëtar Kundër Korrupsionit (ANAC).