Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2026 në Kuvend, kryeministri Edi Rama komentoi ndërprerjen e fondeve IPARD, duke e minimizuar vendimin e Brukselit. Ai e quajti si “këngë të mjerueshme” çështjen e fondeve për bujqësi dhe argumentoi se hetimet e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) kanë zbuluar shkelje të ngjashme në vende të Bashkimit Evropian.
Rama theksoi se OLAF ka gjetur shkelje në vende si Luksemburg, Maltë, Qipro, Irlandë dhe Holandë, duke pretenduar se shumat e identifikuara në këto vende arrijnë mbi 1 miliard euro.
Megjithatë, këtij krahasimi i mungon saktësia. Komisioni Evropian sqaroi se rasti i Shqipërisë është unik, pasi ndërprerja e fondeve IPARD II dhe pezullimi i IPARD III u vendos si pasojë e një hetimi të OLAF, jo thjesht nga auditime teknike siç ndodh në vendet anëtare të BE-së.
Në një reagim për mediat, KE theksoi se masat ndaj Shqipërisë nuk kanë precedent: "Nuk ka raste të ngjashme," tha Komisioni.
Për shkak të informacionit nga OLAF, Komisioni Evropian ndërpreu rimbursimet e IPARD II dhe pezulloi masat e IPARD III që prej korrikut 2023. Për të rikuperuar besueshmërinë, Shqipëria duhet të përmirësojë sistemet e kontrollit dhe të zbatojë masa korrigjuese.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria minimizon ndikimin e ndërprerjes së fondeve IPARD. Ndërsa në korrik 2023, Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, e cilësoi vendimin si një procedurë normale, Komisioni Evropian përgënjeshtroi këtë deklaratë, duke theksuar se masa ishte e paprecedentë.
Në përfundim, Komisioni thekson rëndësinë e dallimit midis korrigjimeve financiare ndaj shteteve anëtare dhe masave që janë pjesë e një hetimi të OLAF, duke e konsideruar deklaratën e Ramës si të pavërtetë. Çështja e fondeve IPARD është një test për besueshmërinë e institucioneve shqiptare në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.