Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Vlorë ka sekuestruar rreth 4 milionë euro pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të dyshuara si të përfituara përmes veprimtarive kriminale. Vendimi u mor gjatë hetimeve në kuadër të procedimit penal nr.25 të vitit 2023, që ka në fokus një shtetas dhe familjarët e tij.
Sipas hetimeve, shtetasi P.C. dhe të afërm të tij janë nën akuzë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal. Bazuar në provat e grumbulluara, autoritetet kanë vendosur sekuestrimin e një sërë pronash, ndërtesash dhe tokash në pronësi të tyre.
Konkretisht, janë sekuestruar:
• Truall me sipërfaqe 1,600 m² në emër të P.C.;
• Bodrum me sipërfaqe 841.75 m² dhe disa njësi tregtare me sipërfaqe 112.82 m², 36.14 m², 59.5 m², 47.27 m², 97.42 m², 324.17 m² dhe 318.16 m² në emër të F.C.;
• Dy apartamente me sipërfaqe 72.36 m² dhe 89.90 m² në emër të shoqërisë “F” shpk;
• Ndërtesë me sipërfaqe 115 m² në emër të F.C.
Sipas Prokurorisë, sekuestrimi synon të bllokojë çdo pasuri të dyshuar të përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe të garantojë vijimin e hetimeve të plota mbi burimin e këtyre fondeve.
Në një procedim të veçuar, tre shtetas kosovarë, përkatësisht E.Th., B.K. dhe M.K., janë dënuar për veprën penale të “Trafikimit të armëve dhe municionit”, sipas nenit 278/a/2 të Kodit Penal.
Autoritetet e Vlorës theksojnë se këto veprime janë pjesë e një strategjie të vazhdueshme për të luftuar krimin e organizuar, për të rritur kontrollin mbi pasuritë e dyshuara të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe për të penguar përdorimin e tyre në veprimtari kriminale.