Takimi i Salianjit dhe Alimehmetit në Durrës, sms e krerëve të PD: Persona të paautorizuar

Shkruar nga: A Naçi | Publikuar më: 04.12.2025, 09:43

Takimi i paralajmëruar i Ervin Salianjit dhe Ilir Alimehmetit në Durrës duket se ka alarmuar krerët e Partisë Demokratike lokale.

Pas deklaratës së Sali Berishës, i cili e përmendi takimin si një ngjarje për interesa personale, dy kryetarët e degëve në Durrës, Ard Muka dhe Osman Stafa, kanë dërguar një SMS automatike për rreth 5 mijë anëtarë të kësaj partie.

Në mesazhin e tyre, ata theksojnë se Salianji dhe Alimehmeti janë “persona të paautorizuar” dhe se çdo analizë do të bëhet brenda forumeve të partisë. Një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga një prej anëtarëve, i cili u kërkon krerëve lokalë të mos e kontaktojnë më me numrin e tij.

SMS Automatik nga Kryetarët e PD:

"I nderuar anëtar i PD, dega Durrës!

Persona të paautorizuar kanë shpërndarë një njoftim për takim me strukturat tona. Ky njoftim nuk ka të bëjë as me Partinë Demokratike dhe as me agjendën e saj. Ai njoftim është fund e krye dezinformim.

Partia Demokratike sot ka në fokus betejën kundër korrupsionit Rama–Balluku në Tunelin e Llogarasë dhe aferave të tjera korruptive të tyre. Ndërkohë, po hyjmë në procesin e brendshëm të analizës, gjithnjë vetëm brenda forumeve të Partisë.

Prandaj, ne, si anëtarë të PD-së, distancohemi nga këto të ashtuquajtura takime të njoftuara për nesër, datë 3 Dhjetor.

Me respekt, Kryetarët e degëve Durrës 1 dhe 2, Ard Muka dhe Osman Stafa"

Përgjigjja e Anëtarit:

"Zotëri, mos më kontaktoni më me këtë numër. Kam përfunduar prej kohësh me këtë parti që e quajnë Berishizëm."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit