Vrasja e shqiptares në Itali: Ajo e fali burrin dhunues, ai u kthye në shtëpi dhe e rrahu për vdekje

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.12.2025, 09:23

Një 49-vjeçare me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në Pianello Vallesina, Itali, me gjurmë të dukshme rrahjesh dhe plagë në kokë.

Nazif Muslija, bashkëshorti i 49-vjeçares ishte i detyruar me vendim gjykate të ndiqte një program njëvjeçar rehabilitimi për burra që kanë ushtruar dhunë. Vendimi buronte nga marrëveshja e pranimit të fajësisë e korrikut të kaluar, e cila e dënoi atë me 1 vit e 10 muaj burg për dhunë dhe abuzim ndaj gruas, dënim i pezulluar me kushtin e pjesëmarrjes në program.

Në marrëveshjen e pranimit të fajësisë, Muslija akuzohej edhe për një episod të rëndë të janarit: pas një grindjeje ai theu xhamin e makinës me sëpatë dhe, në tentativë për ta ndalur, gruas i theu një gisht. Për këtë mori një dënim shtesë prej 30 ditësh.

Në prill, i shtyrë nga xhelozia, ai kishte thyer derën e dhomës së gjumit me sëpatë dhe e kishte kërcënuar gruan me fjalët: “Do të të vras sonte”. I kishte shkatërruar telefonin që ajo të mos mund të kërkonte ndihmë. Më pas ishte nisur drejt banesës së të supozuarit të dashur të saj, ku thyeu derën e një apartamenti të gabuar, ndërsa gruaja kishte arritur të strehohej te fqinjët.

Viktima, Sadjide Muslija, punëtore 49-vjeçare me origjinë maqedonase, kishte raportuar raste të shumta dhune para karabinierëve. Ajo e kishte denoncuar burrin në janar, ai ishte arrestuar dhe dënuar, por kishte mbetur i lirë në pritje të trajtimit të detyrueshëm.

Sadjida u gjet dje e vdekur në shtratin e saj në banesën e çiftit në Pianello Vallesina, në zonën kodrinore të Monte Roberto, jashtë Ankonës. Trupi mbante shenja të qarta dhune. Nazif Muslija është i pagjurmueshëm dhe nuk është paraqitur në punën e tij, çka e bën atë të dyshuarin kryesor. Dhe ndërsa karabinierët në terren po e kërkojnë, autoritetet po përpiqet të kuptojë se si ka evoluar marrëdhënia midis burrit dhe gruas në muajt e fundit pasi ajo e kishte tërhequr padinë, ndarja ishte zgjidhur dhe ata ishin pajtuar. Ajo tha se ai e kishte kuptuar gabimin e tij, por ajo e kishte mirëpritur përsëri në shtëpinë e saj".

Çifti kishte një djalë 27-vjeçar që jeton në Zvicër, i cili u njoftua për vdekjen e nënës nga avokati i Muslijës. Hetimet vazhdojnë, ndërsa kërkimet për Muslijën janë intensifikuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit