“Babain polic, nënën mjeke”, i riu shqiptar kapet duke shitur kokainë në Angli: Vjen nga një familje e mirë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.12.2025, 00:12

Një 20-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Martin Makarjadhi, është dënuar me dy vite burg nga Gjykata e Kurorës në Oksford, pasi u shpall fajtor për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike të klasit A dhe B. I riu jetonte në zonën e Milton Keynes dhe mësohet se kishte hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe vitin e kaluar.

Sipas hetimeve, Makarjadhi ishte përfshirë në shpërndarjen e drogës për të shlyer një borxh prej 15 mijë paundësh. Në momentin e arrestimit, policia gjeti në rrobat e tij të brendshme 13 qese kokainë me peshë totale 6.3 gramë, me vlerë rreth 640 paund në treg. Gjatë kontrollit në banesë u sekuestruan gjithashtu kanabis, mjete që shërbenin për përgatitjen dhe ndarjen e lëndëve narkotike, si dhe një shumë prej mbi 1,000 paundësh.

Hetuesit sekuestruan edhe një telefon celular ku u gjetën mesazhe të shumta në WhatsApp, përfshirë adresa dhe kode postare, të cilat tregonin aktivitetin e tij të shpërndarjes.

Prokuroria deklaroi se i riu kishte ardhur në Britani në mënyrë të paligjshme dhe se presioni për të shlyer borxhin e kishte shtyrë drejt aktivitetit kriminal. Në seancë, Makarjadhi ka pranuar se paratë e gjetura përdoreshin nga shitja e drogës.

Gjatë gjykimit, përmendet se 20-vjeçari vjen nga një familje e mirë në Shqipëri, me babanë punonjës policie dhe nënën me profesion mjeke. Avokati i tij mbrojtës tha se klienti ishte detyruar të punonte për grupin që i kishte siguruar dokumentet e udhëtimit dhe se “e kupton plotësisht seriozitetin e veprës”.

Gjyqtari Hassan Khan theksoi se “mosha nuk është justifikim për të shmangur burgun”, duke urdhëruar gjithashtu konfiskimin e drogës, telefonit dhe shumave të parave të sekuestruara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit