Situata e helmimeve të qenve endacakë në Gjirokastër po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Prej muajsh qytetarët kanë ngritur alarmin për ngjarje të përsëritura, ku qentë e rrugës gjenden të vdekur në zona të ndryshme të qytetit, shpesh pranë hapësirave të frekuentuara nga familjarë dhe fëmijë.
Pavarësisht qindra denoncimeve të dërguara në redaksinë e JOQ, deri më sot nuk është marrë asnjë masë konkrete nga autoritetet për të ndalur këtë fenomen të rëndë dhe për të vënë përpara përgjegjësisë autorët. Heshtja institucionale dhe mungesa e një reagimi zyrtar jo vetëm që thellojnë shqetësimin e komunitetit, por ngrenë pikëpyetje të forta për transparencën dhe përgjegjshmërinë e autoriteteve lokale.
Së fundmi, një qytetare nga Gjirokastra i është drejtuar redaksisë tonë me një tjetër denoncim tronditës. Sipas denoncimit, Bashkia e Gjirokastrës po helmon qentë endacakë vetëm pak ditë para ceremonisë së ndezjes së dritave të pemës së Vitit të Ri në sheshin qendror.
Denoncimi i plotë: “Përshëndetje JOQ, shikoni se çfarë bën Bashkia e Gjirokastrës, e njëjta gjë çdo vit. Para se të ndizen dritat e pemës dalin dhe hedhin helme kudo në qytet për të helmuar kafshët në rrugë. Do na bënit shumë nder në qoftë se e hidhni në faqen tuaj. Faleminderit!”
JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese dhe institucioneve përkatëse që të verifikojnë urgjentisht rastin dhe të veprojnë me vendosmëri për të ndaluar çdo akt të mundshëm abuzimi ndaj kafshëve.