Pasi vodhi 75 MLN euro për 9 km, Artan Sako merr 360 mijë euro shtesë për Qukës–Qafë Plloçë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.12.2025, 19:08

Skandali i rrugës Qukës–Qafë Plloçë po zgjerohet çdo ditë, duke zbuluar shtresa të reja abuzimi, vjedhjeje dhe kapjeje të fondeve publike. Shembja masive e Lotit 3, vetëm një muaj pas inaugurimit, nuk ishte thjesht një “aksident teknik”, por finalizimi i një historie të gjatë mashtrimesh, fryrjesh kostosh dhe zhvatjeje sistematike të buxhetit të shqiptarëve.

Si nisi saga e një rruge 9 km që u shndërrua në një gropë pa fund parash?

Loti 3 i rrugës Qukës–Qafë Plloçë ishte parashikuar fillimisht të kushtonte 25 milionë dollarë. Projekti ishte pjesë e një marrëveshjeje huaje mes Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim në vitin 2014. Por shumë shpejt, kostot nisën të rriteshin pa asnjë logjikë teknike.

Në qendër të aferës u shfaqën kompania saudite Rawafed Al Torok dhe partneri i saj në Shqipëri, 2T, e zotëruar nga Artan Sako, vëllai i kryebashkiakut të sapozgjedhur të Tepelenës, Gramos Sako. Pikërisht këto dy kompani “gëlltitën” pjesën dërrmuese të financimit të Lotit 3, segmenti më i kushtueshëm i gjithë projektit.

Në vitin 2017, ARRSH kërkoi rritjen e buxhetit në 49.3 milionë USD, me justifikimin e “punimeve shtesë në skarpatat e rrugës”. Këto kosto vijuan të rriteshin pothuajse çdo vit:

  • Qershor 2020 – kërkohen 49 milionë USD shtesë për Lotin 2
  • 1 javë më pas – ndryshohet kërkesa: 25 milionë USD për Lotin 3
  • Dhjetor 2020 – shtesë tjetër prej 24 milionë USD për Lotin 3

Në fund, financimi total shkoi në 74–75 milionë dollarë, një rritje pothuaj 50% krahasuar me kontratën bazë. Dhe ironi e fatit? Paratë u përdorën për “stabilizimin e skarpatave”, pikërisht skarpatat që u shembën si të ishin prej rëre pas vetëm 30 ditësh.

KLSH paralajmëroi: “Rruga do të shembet”.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ishte një alarm i hapur, i injoruar nga të gjithë.

Sipas KLSH:

  • projekti ishte i mbushur me mangësi,
  • trupi i rrugës ishte projektuar njësoj në të gjitha zonat pa analizë të terrenit,
  • mungonin zgjerimet dhe drenazhimi,
  • nuk ishin ndërtuar muret mbajtëse të domosdoshme,
  • materialet e përdorura ishin të papërshtatshme dhe shkriftoheshin lehtësisht.

Pikërisht ata elementë që KLSH i kishte cilësuar si rrezik të lartë, u shembën në mënyrë spektakolare, duke konfirmuar se projektimi dhe ndërtimi ishin bërë me standarde skandaloze.

Dhe megjithatë… Sako merr përsëri para nga shqiptarët!

Në vend që të ndëshkoheshin, të njëjtët emra që morën 75 milionë dollarë për një rrugë që nuk mbijetoi as një muaj… sot fitojnë një tjetër tender të majmë në të njëjtin segment rrugor.

Tenderi i ri, një tjetër grabitje në mes të ditës!

Objekti: “Mirëmbajtje me performancë e segmentit rrugor Qukës–Qafë Plloçë”

Autoriteti kontraktues: ARRSH, drejtuar nga Gentian Gjyli, aktualisht në arrest shtëpie

Fituesi: 2T, në pronësi të Artan Sakos dhe Dritan Troksit

Vlera fituese: 29,359,200 lekë pa TVSH, rreth 360 mijë euro me TVSH

Fondi limit: 31,819,342 lekë pa TVSH, rreth 390 mijë euro me TVSH

Oferta fituese rezulton të jetë rreth 92% e fondit limit. Pra, Sako ka marrë tenderin me një ofertë pothuajse sa fondi maksimal, sikur konkurrenca të mos ekzistonte fare.

Por skandali nuk ka mbaruar: Oferta më e lartë fiton kundër 4 ofertave më të ulëta. Hetimi i dokumenteve të tenderit nga Joq Albania tregon diçka edhe më të rëndë: 4 kompani të tjera kanë ofruar çmime më të ulëta se 2T. Prapëseprapë, fituese është shpallur kompania e Artan Sakos.

Pra, ndërsa Shqipëria ka drejtues të ARRSH nën arrest, institucioni vazhdon po të njëjtin model abuzimi, duke shpërblyer oligarkët e lidhur me pushtetin.

Në vend të ndëshkimit, shpërblim me para publike!

Artan Sako njeriu që përfitoi 75 milionë USD për një rrugë të shembur brenda 30 ditësh, merr sot një tjetër pagesë nga buxheti i shqiptarëve për “mirëmbajtjen” e saj. Ndërsa drejtori i ARRSH, Gentian Gjyli, ndodhet në arrest shtëpie, skemat e tenderave nuk ndalen. Përkundrazi, vazhdojnë më hapur se kurrë.

Përfundimi është i qartë. Shqiptarët po paguajnë: një rrugë që u shemb, miliarda të shpërdoruara dhe tani një tender të ri për mirëmbajtjen e një segmenti të shkatërruar nga abuzimi i të njëjtëve njerëz.

Kjo nuk është thjesht keqmenaxhim, është vjedhje e organizuar me firmë dhe vulë shtetërore.

Dhe derisa drejtësia të veprojë realisht, fatura vazhdon t’i bjerë mbi shpatulla qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit