Tragjedi e dyfishtë në Tropojë: Babë e bir humbin jetën pak orësh, djali pësoi arrest kardiak pas vdekjes së të atit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.12.2025, 18:22

Komuniteti i Nikaj-Mërturit në Tropojë është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku familja Qokaj ka humbur dy anëtarë të saj brenda vetëm një dite. Fillimisht, 88-vjeçari Ndue Martin Qokaj u nda nga jeta, një humbje e rëndë për familjen dhe banorët e zonës. Lajmin e ka bërë të ditur i biri, Besnik Qokaj, i cili një ditë më parë kishte kërkuar publikimin e njoftimit mortor për të atin.

Por vetëm pak orë më vonë, komuniteti u përball me një tjetër lajm tragjik. Edhe vetë Besniku ndërroi jetë, dyshohet si pasojë e një arresti kardiak. Vdekja e tij e papritur ka shtuar edhe më shumë dhimbjen e familjes, e cila brenda një periudhe shumë të shkurtër humbi dy prej njerëzve më të afërt.

Komuniteti lokal shprehet thellësisht i tronditur nga kjo ngjarje e dyfishtë që ka prekur gjithë Nikaj-Mërturin, ndërsa shtëpia e familjes Qokaj është zhytur në zi. Rasti ka nxitur edhe një herë diskutimin për numrin në rritje të vdekjeve të menjëhershme nga arrestit kardiak në vend, për të cilat mjekët kanë shprehur shqetësim gjatë viteve të fundit.

Në rrjetet sociale, administratorë të faqeve lokale kanë ndarë edhe momentin e fundit të komunikimit me Besnikun, i cili vetëm një ditë më parë kishte kërkuar publikimin e lajmit për humbjen e babait. Askush nuk e kishte imagjinuar që pas 24 orësh, do të duhej të përcillnin edhe lajmin e vdekjes së tij.

Familja Qokaj po përjeton një dhimbje të jashtëzakonshme pas kësaj tragjedie të rëndë. I gjithë komuniteti i Nikaj-Mërturit u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta, njëkohësisht edhe stafi i JOQ Albania u bashkohet lutjeve dhe dhimbjes së tyre në këto çaste të vështira.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit