Atalanta siguroi një fitore të thellë 4-0 ndaj Xhenoas në sfidën e vlefshme për fazën e 1/8-ve të Kupës së Italisë. Në ndeshjen e zhvilluar në Bergamo, zikaltrit gjetën avantazhin në minutën e 19-të falë Berat Gjimshitit. Mbrojtësi shqiptar, pas një goditjeje nga këndi dhe një harkimi perfekt nga Zalewski, u gjend i pozicionuar saktë në zemër të zonës kundërshtare dhe shënoi me një goditje të fuqishme me kokë në shtyllën e largët, ku portieri nuk kishte asnjë mundësi reagimi. Një realizim që mund ta kishin zili edhe shumë sulmues.
Berat Gjimshiti vazhdon të tregojë vlerën e tij si një nga figurat kryesore, jo vetëm te Kombëtarja shqiptare ku mban shiritin e kapitenit, por edhe te Atalanta, ku përfaqëson një shtyllë me eksperiencë në repartin defensiv. Kontributi i tij shtrihet përtej mbrojtjes, shpesh duke nisur aksione të rrezikshme ose duke finalizuar vetë, ashtu siç ndodhi në këtë përballje të Kupës së Italisë.
Në pjesën e dytë, Atalanta mbylli praktikisht ndeshjen me golin e De Roon në minutën e 54-t. Ndërsa në minutat e fundit vulosën rezultatin edhe Pasaliç (82’) dhe Adopo Ahanor (90+1’), duke e kthyer fitoren në një goleadë të pastër.