Shqiptarja në Itali rrihet për vdekje nga bashkëshorti

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 03.12.2025, 17:10

Shqiptarët vazhdojnë të bëhen pjesë e kronikave të rënda në Itali, sidomos kur bëhet fjalë për krime brenda familjes. Viktima e radhës është një 49-vjeçare me origjinë shqiptaro-maqedonase, e cila dyshohet se është rrahur për vdekje nga bashkëshorti i saj.

Sipas mediave italiane, Sadjide Muslija, me origjinë nga Maqedonia e Veriut, u gjet e pajetë në banesën e saj në Pianello Vallesina, një fshat i vogël në Monte Roberto të provincës së Ankonës. Trupi i saj paraqiste shenja të shumta dhune, ndërsa autoritetet janë vënë në kërkim të bashkëshortit, Nazif Muslija, 50 vjeç.

Viktima u gjet në shtrat me gjurmë të dukshme rrahjesh dhe plagë në kokë. Policia u njoftua nga punëdhënësi i saj, pasi gruaja nuk ishte paraqitur në punë.

Çifti ndodhej në proces divorci, por mediat raportojnë se burri ishte rikthyer të jetonte me të, pavarësisht ndarjes. Ai kishte precedentë të mëparshëm për dhunë në familje, si dhe disa denoncime të bëra nga 49-vjeçarja. Në prill të këtij viti, ai ishte arrestuar për dhunë fizike ndaj saj.

Në një rast, ai kishte thyer derën e dhomës së gjumit me sëpatë, pasi viktima ishte strehuar tek një fqinj dhe ai dyshonte për tradhti. Gruaja kishte raportuar se prej dy vitesh ishte nën dhunën e vazhdueshme të bashkëshortit. Në korrikun e kaluar, ai kishte arritur një marrëveshje pranimi fajësie, pas së cilës çifti ishte ribashkuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit