Një video e mbërritur pranë redaksisë sonë tregon një situatë të tensionuar në linjën urbane të ish-Uzinës së Autotraktorëve, ku disa pasagjerë janë përplasur verbalish me shoferin e autobusit për shkak të vonesave të përsëritura në këtë linjë.
Në pamjet e siguruara për JOQ Albania shihet qartë se disa udhëtarë të irrituar i kërkojnë llogari shoferit lidhur me vonesat, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për shërbimin. Teksa debati sa vjen e përshkallëzohet, një qytetar i afrohet shoferit për t’i kërkuar sqarime më të detajuara dhe i thotë se nuk do të lëviz nga vendi ku po qëndron.
Në këtë moment, shoferi i kërkon qytetarit të largohet dhe të qëndrojë mënjanë, por ky i fundit refuzon. Për shkak të situatës së krijuar, shoferi vendos të ndalojë mjetin në mes të rrugës dhe refuzon të vijojë lëvizjen, gjë që sjell edhe më shumë acarim tek pasagjerë të tjerë që ndodheshin në autobus.