Seanca plenare e radhës u pasurua sërish me gafat tashmë 'patentë' të deputetes socialiste Zegjine Çaushi, e cila këtë herë vendosi të sfidojë gjuhën shqipe me versionin e vet, duke prezantuar me krenari “rezervurin” dhe “dokumentin financior” teksa komentonte buxhetin e vitit 2026. Deputetja duket se vazhdon përpjekjet e saj këmbëngulëse për të befasuar publikun, me pasiguri në artikulim dhe konfuzion në interpretim.
Niveli i përgatitjes së Zegjine Çaushit, siç vihet re pothuajse në çdo seancë, lë shumë për të dëshiruar. Artikuli i saj shpesh del jashtë shinave të qartësisë, duke e bërë të vështirë kuptimin e idesë që dëshiron të përcjellë. Me sa duket, edhe pse përfaqëson një komunitet të tërë në Kuvend, standardet e interpretimit të shifrave dhe dokumenteve zyrtare mbeten “sfidë personale”, ndërsa termat e krijuar nga ajo e bëjnë çdo fjali një lloj labirinti gjuhësor.
Ndërsa shumë deputetë socialistë shpesh kritikohen për mungesë artikulimi, Zegjine Çaushi shfaqet si shembulli më “i gjallë” i këtij fenomeni. Ajo arrin të krijojë momente që publiku nuk i harron lehtë, jo për thellësi argumentesh, por për mënyrën se si i ngatërrohen termat dhe idetë. Me këtë ritëm, seancat plenare rrezikojnë të kthehen në një spektakël ku fjalimet kërkojnë përkthim nga shqipja në shqip.