Mirilda Karçanaj, drejtoresha e AKSH-it, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ajo pritet të japë dëshmi në lidhje me dyshimet për shkelje dhe keqpërdorime në 12 procedura tenderash brenda agjencisë.
Hetimet e SPAK tregojnë se këto tendera, të cilët lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme, janë paracaktuar. Sipas hetimeve, kriteret e tenderave ishin përcaktuar nga kompanitë konkurente, duke i mundësuar atyre të fitonin kontrata me vlera të konsiderueshme.
Ndër biznesmenët nën hetim është edhe Ermal Beqiri me kompaninë e tij “Soft & Solution”, i cili është pyetur më herët nga SPAK. Gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë marrë në pyetje rreth 25 zyrtarë të AKSH-it, kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është gjithashtu në qendër të hetimeve për tendera të dyshuar korruptivë. Së fundmi, ish-zyrtari i AKSH, Daniel Shima, u zhduk për rreth 10 orë pas dhënies së dëshmisë në SPAK, duke ngritur shqetësime për sigurinë e personave që bashkëpunojnë me organet e hetimit. Familja e tij ka bërë denoncim në polici lidhur me ngjarjen.