Pas të shtënave me armë zjarri që tronditën Kukësin më 27 nëntor, ku biznesi “Furra Kosova”, pranë autostradës së Morinës, u bë shënjestër e tetë plumbave, policia ka identifikuar dhe kapur një nga autorët e dyshuar. Ngjarja ndodhi pranë urës së re në Kukës, ndërsa pronari i biznesit deklaroi për redaksinë tonë se nuk kishte konflikte me askënd dhe e cilësoi sulmin si “atentat” ndaj tij.
Sot, më 3 dhjetor, autoritetet njoftuan se një 59-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Kukësit, ndërsa djali i tij është shpallur në kërkim. Të dy dyshohen si autorë të të shtënave ndaj biznesit. Ata janë identifikuar si Xheme dhe Misin Mena, ndaj të cilëve po vijojnë procedurat e mëtejshme hetimore.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk pati persona të lënduar, por dëmet materiale në biznes rezultuan të konsiderueshme dhe krijuan shqetësim në komunitet. Policia ka intensifikuar hetimet për të zbardhur motivin e sulmit dhe për të kapur personin tjetër të përfshirë në ngjarje, ndërsa pritet një deklaratë zyrtare me detaje të mëtejshme.