Një sherr i rëndë ka shpërthyer mesditën e së mërkurës në stadiumin “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, para nisjes së ndeshjes mes Ilirisë dhe Skënderbeut. Përplasja ka degraduar në dhunë fizike, duke përfshirë futbollistët dhe stafin e të dy ekipeve. Ngjarja ka ndodhur në ambientet pranë dhomave të zhveshjes, pak minuta para hyrjes në fushë.
Klubi i Skënderbeut ka reaguar publikisht përmes rrjeteve sociale, duke deklaruar se futbollistët e tyre dhe trajneri Ernest Gjoka janë sulmuar nga lojtarë dhe anëtarë të stafit të Ilirisë. Në reagimin e tyre, korçarët e cilësuan episodin “të papranueshëm” dhe theksuan se në kushte të tilla ndeshja nuk mund të zhvillohej. “Ky nuk është futboll. Në këto kushte nuk mund të luhet,” thuhet në njoftim.
Skënderbeu shtoi se mikpritja është pjesë e kulturës sportive në Korçë dhe se e njëjta qasje duhet të respektohet nga çdo ekip kundërshtar. Ngjarja ka shkaktuar debat të gjerë në komunitetin sportiv, ndërsa pritet reagimi zyrtar i institucioneve përkatëse për sqarimin e rrethanave dhe marrjen e masave disiplinore.