Muja shpalos kontratat e nënshkruara me Vuk Hamoviqin, për blerje të energjisë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 03.12.2025, 15:01

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, është deklaruar rreth pretendimeve që më 28 nëntor, Kosova importoi energji elektrike nga Serbia.

Në një konferencë për media, Muja ka shpalosur të dhënat përmes të cilave thotë se ardhja e NOA-s në tregun energjetik në Kosovë daton që nga viti 2017.

“Pretendimet nga kolegët opozitarë që Kosova për 28 nëntor dhe gjatë vitit 2025 po importon energji nga Serbia është pjesë e një propagandë të ndytë që ata e kanë ndjekur që nga viti 2021, kur ne kemi ardhë në pushtet. Të them të drejtën se kur kemi ardhë në pushtet 2021, kjo ka fillu me akuza. Gjithmonë, energjia, energjia, energjia! Mirëpo, tek teoria e krimit, kur një akuzues bën shumë akuza, ta keni parasysh që ai po e projekton fajin e tyre dhe për ta konfirmuar këtë hipotezë unë kam gjetur evidencë të pamohueshme që kontratat, janë dy subjekte të rëndësishme që ia vlen të diskutohet dhe të vështrohet dhe hulumtohet se kush i solli në Kosovë. Ju keni dëgjuar për NOA Energy. Në fakt keni dëgjuar Hykmete Bajramin dhe përfaqësues të LDK-së në Kuvend kur na akuzojnë ne për ndonjë lidhje me NOA Energy… Noa në Kosovë ka ardhë përmes KOSTT-it. KOSTT-i ka nënshkruar një kontratë për mbulimin. Kontrata është e nënshkruar më 15 janar 2018, ndërmjet NOA-s edhe Kadri Kadriut, i cili përfaqësonte KOSTT-in në atë kohë. KEK-u u shet tepricë elektrike gjatë natës dhe ditës. Pastaj, këto subjekte procedojnë edhe kontrata me NOA-n më 9 maj, të përfaqësuar nga Gentian Skendersyla, dhe e nënshkruar nga Njazi Thaçi. Me NOA-n më 11 nëntor 2021, nga Përparim Kabashi, kontrata u nënshkrua katër ditë para ardhjes së Nagip Krasniqit në krye”, tha ai.

“Pikë e parë është akuza se me 28 nëntor Kosova po importon energji elektrike nga Serbia. Qytetarë të nderuar, kjo është e pavërtetë. Në fakt, që nga koha kur kemi ardhë ne, nga 2008 deri diku kur ne kemi ardhë në pushtet është importi i energjisë elektrike nga Serbia.

Po, Kosova ka dominuar, importi i energjisë elektrike ka qenë privalent dhe furnitorët nga Serbia kanë qenë dominues deri në kohën kur ne kemi ardhë në pushtet, qoftë përmes kontratave të drejtpërdrejta që i kanë nënshkruar akterët e KEK-ut, akterë që sot dalin në intervista dhe akuzojnë për energji… dhe pastaj nga 2020 e këndej. Sllovenia, dhe në 3-4 vitet e fundit Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe Danimarka, përbëjnë 94-95 për qind të gjithë importit të energjisë elektrike.

Pra vendi kah po buron energjia elektrike është Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Danimarka. Pjesëmarrja e Serbisë në tregun gjatë importit të energjisë elektrike më 2025 është më pak se 1 për qind. Këto janë të dhëna që i kemi marrë deri dje. Për ju që dëshironi ta verifikoni…ajo çka ju siguroj është se importi nga Serbia është më pak se 1 për qind”, tha Muja.

Ai tha se gjatë kohës së hulumtimit të kontratave u interesuan të dijnë se kush i nënshkroi ato.

“Ne na interesoi se kush nënshkroi kontratë me NOA-n. Kontrata u nënshkrua më 2019, nga KEK-u dhe NOA, teksa e dyta më 2021, nga kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Përparim Kabashi, katër ditë para se të merrte këtë detyrë Nagip Krasniqi”, u shpreh Muja.

Ai thotë se Kabashi ka qenë i deleguar nga LDK-ja, si në bord të ZRRE-së, ashtu edhe në KEK.

“Në bazë të vështrimit tonë, faturë për faturë, kontratat e para me Vukhamoviç, me lejoni të pyes kolegen e LDK-së, për kontratat e nënshkruara gjatë shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.

Muja thotë se nga viti 2008 e deri më 2013, është nënshkruar kontrata në vlerë prej 141 milionë eurosh, me kompaninë e Vuk Hamoviqit.

“Subjekti që nënshkroi kontratë në vitin 2019 me Vuk Hamoviqin vazhdon të jetë i njëjtë”, shtoi Muja.

Ai thotë se dëmi që i është shkaktuar Kosovës nga këto kontrata kap vlerën e afro 400 milionë eurove.

Të gjitha dokumentet që posedojnë për vendimet mbi blerje të energjisë, Muja thotë se LVV-ja do t’i publikojë menjëherë, duke lutur Prokurinë e Shtetit që t’i marrë në pyetje ish-përgjegjësit e KEK-ut, në kohën e pazareve me Vuk Hamoviqin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit