Hemodializa nën lupën e KLSH: Pacientët në rrezik dhe abuzime me pagesat

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 03.12.2025, 12:39

Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka nxjerrë në pah shkelje të rëndësishme në zbatimin e kontratës së koncesionit të shërbimit të hemodializës, duke evidentuar pasoja të drejtpërdrejta për pacientët me insuficiencë akute dhe kronike të veshkave.

Sipas auditimit, pacientët me gjendje të rënduar akute nuk marrin shërbim të menjëhershëm në qendrat e koncesionarit pranë vendbanimit, pasi fillimisht duhet të kalojnë në një procedurë burokratike miratimi nga FSDKSH. Kjo situatë detyron spitalet publike të transportojnë urgjencat drejt QSUNT, me ambulancë dhe mjek specialist, duke shkaktuar vonesa kritike për trajtimin që mund të rrezikojnë jetën e pacientëve.

Edhe pse institucionet përgjegjëse pretendojnë se shërbimi i hemodializës u ofrohet të gjithë pacientëve, auditimi nënvizon se Ministria e Shëndetësisë dhe FSDKSH nuk kanë hartuar ende rregulloren e posaçme për trajtimin urgjent të pacientëve akutë, pavarësisht rekomandimeve.

KLSH ka identifikuar edhe një tjetër problem madhor: dyfishim pagese për të njëjtin shërbim.

Rast tipik u konstatua në qendrën e koncesionit në Lezhë, ku një pacient kronik u faturua në dy mënyra: një herë nga koncesionari, sipas projeksioneve mujore dhe një herë nga një spital jopublik që e kishte kryer realisht seancën.

Ky fenomen shfaqet kryesisht te pacientët që ndryshojnë vendbanim ose i kryejnë seancat në qendra të tjera jashtë sistemit të koncesionarit. Si pasojë, buxheti publik paguan dyfish për të njëjtin shërbim. Edhe pse Ministria dhe FSDKSH deklarojnë se mbajnë një regjistër kombëtar të pacientëve dhe marrin çdo muaj listat nga qendrat e dializës, auditimi evidenton se: raportimet nga koncesionari bazohen në projeksione, jo në numër real seancash ndërsa spitalet jopublike faturon seancat reale, duke krijuar mbivendosje dhe abuzime të mundshme.

KLSH i rekomandon koncesionarit të dërgojë çdo muaj të dhëna të plota në degët rajonale të FSDKSH, për të shmangur: pagesat e dyfishta, kostot e panevojshme të transportit për pacientët dhe mbivendosjet e shërbimeve.

Auditimi thekson se pavarësisht procedurave në fuqi, problemet vazhdojnë, duke treguar se sistemi aktual nuk siguron kontroll të plotë të qarkullimit të pacientëve dhe të fondeve publike.

KLSH i bën thirrje institucioneve që të ndërhyjnë urgjentisht për të korrigjuar mangësitë, pasi situata prek shërbime jetike për një kategori të ndjeshme pacientësh.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit