Dy zyrtarë amerikanë, kongresmeni Keith Self dhe analisti Luke Coffey, paralajmëruan se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor po përkeqësohet dhe se SHBA-ja duhet të rrisë angazhimin për të mbrojtur aleatët e saj në rajon.
Self deklaroi se, nëse shpërthen konflikt, Shqipëria së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi do të jetë ndër shënjestrat e para, pasi këto vende janë pjesë e NATO-s, ndërsa Kosova mbetet edhe më e ekspozuar për faktin se nuk është anëtare e aleancës.
Self theksoi se marrëdhëniet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë janë burimi kryesor i paqëndrueshmërisë rajonale, duke krijuar hapësirë për ndikim rus në dobësimin e BE-së dhe NATO-s. Ai paralajmëroi gjithashtu për rritjen e aktiviteteve kineze në Serbi dhe në rajon, përfshirë stërvitjet ushtarake dhe dërgimin e armëve, që sipas tij synojnë të shfrytëzojnë dobësitë e Ballkanit.
Ndërkohë, analisti Luke Coffey tha se Serbia është “thellë në orbitën ruse” dhe se Moska po përdor tensionet në Kosovë e Bosnje për të përçarë aleancën transatlantike. Ai kërkoi një rol më aktiv të Uashingtonit, duke theksuar se stabiliteti i Kosovës, Shqipërisë dhe i gjithë Ballkanit është interes strategjik i SHBA-ve, ndërsa çdo dobësim i pranisë amerikane do t’i jepte hapësirë ndikimit rus dhe kinez.