Klubi i Egnatias ka kaluar momente të vështira ditët e fundit, pasi trajneri i skuadrës rrogozhinase, Edlir Tetova, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër.
Sipas mediave, ngjarja ka ndodhur dy netë më parë, kur Tetova është ndier keq gjatë rrugës për në shtëpi. Pas shfaqjes së disa shqetësimeve, ai është drejtuar menjëherë me automjetin e tij drejt spitalit, ku pas kontrolleve mjekësore u zbulua se 90% e një arterie të zemrës kishte pësuar bllokim.
Tetova i është nënshtruar menjëherë operacionit dhe i është vendosur një stent, ndërsa mjekët i kanë këshilluar të qëndrojë disa ditë në qetësi.
Në ndeshjet e ardhshme, drejtimin e Egnatias do ta marrë zëvendës-trajneri Juljan Brahja, ndërkohë që klubi do të presë rikuperimin e plotë të Tetovës.