Dje, Sali Berisha zhvilloi një tjetër foltore me anëtarët e Kryesisë së PD-së, duke nisur nga dega 9 në Tiranë. Takimi, që duhej të bashkonte demokratët, u shoqërua me tensione të dukshme kur një anëtar i Kryesisë, pas një pritjeje të gjatë për të marrë fjalën, ia plasi Berishës në fytyrë problemet e fushatës para zgjedhjeve të 11 majit dhe kritikat ndaj sjelljes së kryetares së degës, Eda Grimci.
Demokrati e akuzoi hapur Grimcin për sharje, kërcënime dhe mosorganizim të aktiviteteve të PD-së, duke treguar paaftësinë e saj për të menaxhuar degën dhe mungesën e respektit ndaj demokratëve. Qytetari theksoi se përplasjet dhe sjelljet e tilla po ndajnë demokratët e vërtetë dhe po i largojnë ata nga pjesëmarrja aktive në Partinë Demokratike.
Ai paralajmëroi: “Nëse do të përçahen ndërmjet njëri-tjetrit, nuk kemi fitore. Demokratët që kanë lënë gjak nuk do të shpëtojnë dot nga kjo përçarje.”
Ky incident nxori në pah tensionin brenda degës dhe demoralizimin e demokratëve, të cilët ndihen të lënë pas dore dhe të ndarë nga udhëheqja lokale, duke treguar se pa një ndryshim në drejtim dhe sjellje, përçarja mund të thellohet dhe fitoret të mbeten vetëm një ëndërr.