Policia ‘e pamëshirshme’! Sekuestrimet e skuterave vazhdojnë, ligji inekzistent

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 03.12.2025, 10:26

Edhe pse kanë kaluar gati dy muaj, qindra qytetarë vazhdojnë të presin rikthimin e mjeteve të tyre elektrike, ndërsa skuterët, monopatinat dhe biçikletat elektrike që u sekuestruan në tetor vijojnë të mbahen pa afat të përcaktuar. Sekuestrimet vazhdojnë ende, ndonëse nuk ekziston as sot një dokument i qartë ligjor që rregullon përdorimin apo ndalimin e këtyre mjeteve.

Fillimisht, Policia Rrugore dhe ajo Bashkiake njoftuan se mjetet do të mbaheshin për 30 ditë, derisa të përgatitej një ligj i ri. Por 30-ditëshi ka kaluar prej kohësh, ndërsa përdoruesit vazhdojnë të jenë në pasiguri totale dhe pa një afat përfundimtar.

Kaosi nisi më 12 tetor, kur Ministrja e Brendshme Albana Kociu bëri publik ndalimin e monopatinave elektrike vetëm përmes një postimi në Facebook, pa asnjë urdhër zyrtar, shkresë apo vendim të firmosur, siç kërkohet nga ligji për çdo akt që kufizon të drejtën e qarkullimit. Vetëm një ditë më pas, më 13 tetor, Policia e Shtetit u mobilizua menjëherë, duke ndaluar dhe sekuestruar dhjetëra mjete elektrike në të gjithë vendin. Shumë qytetarë që përdorin skuterët për të shkuar në punë, për të shmangur trafikun apo për shkak të mungesës së transportit publik në orët e vona, mbetën pa mjetet e tyre të përditshme të lëvizjes.

Autoritetet justifikuan ndërhyrjen me pretendimin se mjetet “janë pa dokumente zyrtare” dhe “përbëjnë rrezik në qarkullim”, duke përmendur shtimin e aksidenteve të fundit. Por ndërkohë, asnjë ligj i ri nuk është miratuar, dhe asnjë rregullore e qartë nuk është publikuar.

Përdoruesit kërkojnë transparencë dhe rikthimin e mjeteve, duke theksuar se një njoftim në rrjetet sociale nuk mund të zëvendësojë aktet formale shtetërore dhe se mbajtja e mjeteve pa bazë ligjore shkel të drejtat e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit