Një grua 24-vjeçare në Selanik ka raportuar një ngjarje të rëndë, pasi personi që i ofroi ta transportonte me automjetin e tij u përpoq ta përdhunonte.
Sipas informacioneve, ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të së hënës, në një fshat në lindje të Selanikut. Një 24-vjeçar me origjinë shqiptare iu afrua të resë me makinën e tij, ndaloi përpara saj dhe e bindi ta shoqëronte për ta çuar në shtëpi.
Por, sipas dëshmisë së gruas, ai nuk e dërgoi në banesën e saj, por e çoi në shtëpinë e tij. Aty, duke përdorur forcë dhe pasi kishte kyçur dyert, tentoi ta sulmonte seksualisht. Gruaja arriti të rezistonte dhe për shkak të kundërshtimit të saj, i riu hoqi dorë dhe më pas e çoi me makinë në një fshat fqinj.
Pas denoncimit në polici, efektivët kryen kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, me asistencën e Nën-Drejtorisë së Hetimeve Penale të Greqisë Veriore, ku gjetën dhe sekuestruan rrobat që ai mbante veshur gjatë incidentit.
24-vjeçari u arrestua dhe ndaj tij është ngritur padi për tentativë përdhunimi dhe mbajtje të paligjshme.