Rënia e prodhimit të ullinjve rrit çmimin e vajit të ullirit dhe godet eksportet

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 03.12.2025, 09:22

Sasia e prodhimit të ullinjve në shumë zona të vendit është përgjysmuar këtë vit, duke shënuar deri në 50% rënie krahasuar me sezonin e kaluar. Fermerët dhe përpunuesit e vajit të ullirit pohojnë se kjo situatë është shkaktuar kryesisht nga kushtet e pafavorshme klimatike, veçanërisht thatësira e verës, si dhe nga mungesa e mekanizimit në punët e ullishtave.

Rënia e ndjeshme e prodhimit ka shtyrë lart çmimin e vajit të ullirit për grumbullim, duke vështirësuar ndjeshëm konkurrueshmërinë e tij në tregjet ndërkombëtare. Agron Çakalli, drejtues i Federatës Bujqësore në Elbasan, tha se në zonat e Elbasanit dhe Gramshit, vaji po blihet nga fermerët me çmim rreth 700 lekë për litër, një rritje me rreth 11% krahasuar me vitin e kaluar, kur çmimi varionte nga 620 deri në 630 lekë.

Përpunuesit shprehen se çmimi i vajit të ullirit në Shqipëri mbetet më i lartë krahasuar me vendet e tjera prodhuese si Greqia dhe Spanja, ku çmimet e grumbullimit qëndrojnë nën 5 euro për litër. Kjo ka bërë që tregtia me vendet fqinje të bjerë ndjeshëm.

Prej dy vitesh nuk eksportohet më vaj ulliri në Greqi, sepse çmimi i tyre është më i ulët se sa në vendin tonë. Edhe blerësit italianë nuk po vijnë më, për të njëjtën arsye”, u shpreh Çakalli.

Situata është e njëjtë edhe në zonën e Dumresë, ku përpunuesit thonë se çmimi që kërkojnë fermerët (600–650 lekë për litër) nuk përputhet me çmimet e kërkuara nga grosistët italianë, të cilët ofrojnë deri në 450 lekë për litër.

Sipas përpunuesve, një seri faktorësh po mbajnë prodhimin vendas jashtë tregut rajonal. Këtu përfshihen: kostot e larta të prodhimit, përfshirë pagat e punonjësve, mekanizimi i ulët që ul rendimentin, mungesa e subvencioneve, ndryshe nga Greqia ku fermerët marrin 1 euro për çdo litër vaj të prodhuar dhe niveli i lartë i informalitetit në shitjet e vajit në vend.

Përpunuesit paralajmërojnë se mungesa e eksporteve rrezikon të rrisë stokun e vajit të ullirit në shtëpitë e fermerëve, duke krijuar probleme të tjera ekonomike në sezonet në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit