Rama merr 620 milionë euro taksa nga mjedisi, por fondet për mbrojtje janë minimale

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 03.12.2025, 08:58

Qeveria Rama mbledh çdo vit qindra milionë euro nga taksat mjedisore, por shumë pak prej tyre kthehen në investime për mbrojtjen e natyrës. Vetëm në vitin 2023, të ardhurat nga këto taksa arritën në rreth 60.4 miliardë lekë (620 milionë euro), ndërsa buxheti i parashikuar për programet mjedisore në institucionet përgjegjëse ishte vetëm 970 milionë lekë. Kjo do të thotë se më pak se 2% e të ardhurave që vijnë nga taksat e mjedisit përdoren realisht për këtë qëllim, në një kohë kur mbi 90% e këtyre taksave mblidhen nga sektorët e energjisë dhe transportit.

Situata vjen ndërkohë që presioni mbi mjedisin po rritet, me raste ekstreme si përmbytjet e nëntorit që shkaktuan dëme të mëdha në bujqësi dhe infrastrukturë. Edhe në BE, vetëm një pjesë e kufizuar e taksave mjedisore shkon për investime direkte në reduktimin e ndotjes apo në ruajtjen e biodiversitetit, por raportet janë shumë më të larta se në Shqipëri, ku shpenzimet mjedisore nuk arrijnë as 2% të të ardhurave të mbledhura. Megjithatë, vendet që shpenzojnë më shumë në këtë fushë si Gjermania, Franca dhe Italia arrijnë të krijojnë rezultate më të qëndrueshme në politikat e gjelbra.

Sipas FMN-së, taksat mjedisore dhe shpenzimet që burojnë prej tyre duhet të funksionojnë si instrumente për mbrojtjen e natyrës, por edhe për garantimin e stabilitetit fiskal dhe zhvillimit afatgjatë. Fondi mbështet qartësisht taksimin e karbonit dhe tarifat kundër ndotjes, duke i konsideruar ndër mjetet më efikase për uljen e emetimeve dhe orientimin e ekonomisë drejt energjive të pastra. Investimet që vijnë nga këto fonde qoftë në transport publik, menaxhim mbetjesh, energji të rinovueshme apo mbështetje sociale krijojnë një cikël pozitiv ekonomik, rrisin produktivitetin dhe e bëjnë vendin më të qëndrueshëm ndaj krizave klimatike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit