Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një raport të ashpër mbi gjendjen e shërbimit onkologjik në vend, duke zbuluar se sistemi i ngritur prej vitesh për ofrimin e kimioterapisë në spitalet rajonale funksionon vetëm “në letër”, ndërsa realiteti në terren paraqitet me mangësi serioze që rrezikojnë trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.
Sipas auditimit, njësitë e kimioterapisë në Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Berat figurojnë si funksionale, por vuajnë mungesa të thella strukturore dhe organizative. Ndërkohë, në Lezhë kjo njësi nuk funksionon fare, duke lënë pacientët pa asnjë mundësi trajtimi pranë vendbanimit të tyre.
Një ndër gjetjet më shqetësuese të KLSH lidhet me faktin se njësitë e kimioterapisë nuk figurojnë as në rregulloret e brendshme të spitaleve, sikur të mos ekzistonin zyrtarisht. Ky boshllëk administrativ përcillet edhe në praktikë: mungojnë mjekët onkologë, mungojnë pajisjet e specializuara, mungojnë edhe shtretërit e dedikuar për trajtimet që kërkojnë standarde të larta sigurie.
KLSH evidenton gjithashtu se spitalet rajonale nuk janë të afta të përballojnë skemat e trajtimit, duke mos garantuar vazhdimësinë e nevojshme të kimioterapisë për pacientët në luftë me kancerin. Mungesa e këtij shërbimi të standardizuar ka detyruar mijëra pacientë të dynden drejt Spitalit Onkologjik në Tiranë, duke shkaktuar mbingarkesë dhe radhë të gjata që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e trajtimit.
Një tjetër problem kritik i evidentuar në raport është mungesa e informatizimit. Në shumicën e spitaleve rajonale, të dhënat mbi pacientët mbahen ende në regjistra manualë, të papërputhshëm me të dhënat zyrtare të Onkologjikut në Tiranë. Kjo metodë e vjetëruar, sipas KLSH, krijon konfuzion në raportim, pengon gjurmimin e trajtimit dhe rrezikon të çojë në mungesa të medikamenteve antitumorale për shkak të planifikimit të gabuar.
Alarmante është edhe situata në spitalet e Shkodrës, Elbasanit dhe Beratit, ku stafi nuk harton plane kujdesi për pacientët që kanë nevojë për trajtim paliativ, grupi më vulnerabël dhe më i pambrojtur i pacientëve onkologjikë.
Raporti thekson se spitalet rajonale nuk kanë mundësi të planifikojnë numrin real të rasteve të reja me kancer dhe as të projektojnë nevojat për terapi që duhet të marrin nga Spitali Onkologjik në Tiranë. Ky boshllëk, sipas KLSH, rrit seriozisht rrezikun e vonesave në trajtim dhe të mungesave të barnave jetike.
Përballë këtyre gjetjeve, KLSH kërkon ndërhyrje të menjëhershme:
Raporti paralajmëron se nëse nuk ndërmerret një reformë e thellë dhe e koordinuar, sistemi aktual i shërbimit onkologjik rrezikon të lërë pa kujdes të duhur një nga grupet më të brishta të pacientëve në Shqipëri.