Dalja e detajeve të reja ka hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së martës pranë kryqëzimit të fshatit Rrilë në Lezhë, ku një 35-vjeçar u dhunua rëndë nga disa persona të paidentifikuar.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se sherri ka nisur pas një konflikti që lidhej me ngacmimin e një vajze. Ky detaj është konfirmuar edhe nga vetë i lënduari në deklarimin e parë, i cili ka treguar se është sulmuar menjëherë pas debatit.
Petrit Paloka, i cili u godit me mjete të forta dhe pësoi dëmtime të shumta, fillimisht u dërgua në spitalin e Lezhës, ndërsa më pas u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Paloka ka deklaruar se nuk i njihte autorët, ndërsa policia po vijon hetimet për identifikimin e tyre. Po ashtu, janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë së bizneseve të zonës, me qëllim dokumentimin e lëvizjeve para dhe pas sulmit.
Ndërkohë, ekspertët e hetimit po verifikojnë çdo pistë të mundshme, ndërsa pista kryesore aktualisht mbetet konflikti i nisur për vajzën e përmendur në dëshminë paraprake.
Hetimet vijojnë.