Pamje të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë momentet pas një ngjarjeje të dhunshme të ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Lezhë–Rrilë, pranë një pike karburanti.
Në video shihet një person i shtrirë në mes të rrugës, i identifikuar si Petrit Paloka, pranë automjetit të tij, ndërsa forcat e policisë kanë mbërritur dhe po i japin ndihmën e parë.
Sipas të dhënave paraprake, Paloka është nxjerrë me forcë nga makina dhe më pas është goditur me mjete të forta nga disa persona ende të paidentifikuar.
Pas ndërhyrjes së parë nga policia dhe stafi mjekësor në vendngjarje, i plagosuri është transportuar fillimisht drejt spitalit të Lezhës, ku ka marrë trajtimin e parë mjekësor, ndërsa më pas është dërguar për në Spitalin e Traumës në Tiranë, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për sqarimin e plotë të motivit dhe rrethanave të dhunës brutale.