Nga Ministria e Së Vërtetës.
Një fenomen i pashpjegueshëm dhe krejtësisht i paprecedentë ka tronditur sot kryeqytetin shqiptar. Dëshmitarët raportojnë se mijëra të rinj, në një akt që po cilësohet si "heroizëm modern", kanë arritur të shkëpusin të pasmet e tyre nga karriget e rehatshme të lokaleve për të marshuar në bulevard.
Arsyeja e këtij eksodi masiv nga baret e "Bllokut" dhe "Astirit"? Një zbulim shokues: Qiraja e shtëpisë duhet paguar me para, dhe me sa duket, ato para janë shumë.
"Ishte e tmerrshme," tha Erjoni, një 26-vjeçar që e identifikon veten si Specialist i Llafeve tek Lagjia. "Po pija makiaton time të katërt dhe po analizoja gjeopolitikën e Lindjes së Mesme, kur papritur pronari më mori në telefon. Më kërkoi 800 Euro. 800 Euro! A e di ai sa makiato bëjnë aq? U detyrova të çohem. Këmbët më dhembin sepse nuk jam mësuar t'i përdor për të ecur, por vetëm për t' i kryqëzuar poshtë tavolinës."
Turma e zemëruar u mblodh para Kryeministrisë, duke krijuar një re tymi cigaresh elektronike që mund të shihej nga sateliti. Protestuesit mbanin pankarta ironike dhe thërrisnin në kor sllogane prekëse kundër armikut numër një të popullit: Agjentët Imobiliarë.
"Poshtë k*rvat e agjencive imobiljare!" u dëgjua të buçiste turma, një frazë që ekspertët gjuhësorë thonë se është dialekti i vjetër tirons për "Kur do ndalojë spekulimi me çmimet?"
Pika kulmore e protestës ishte ballafaqimi i realitetit të Tiranës me atë të Bashkimit Europian.
"Shiko, unë e dua stilin e jetesës europiane," u shpreh Besi, një student që jeton me katër shokë në një garsoniere pa dritare. "Por, kur më kërkojnë qira si në Paris, unë pres të paktën një kullë Eifel, ose dreqi e mori, një metro! Këtu e vetmja gjë që lëviz nëntokë janë minjtë dhe kabllot e internetit që vjedhin komshinjtë. Ne s'kemi tramvaj, s'kemi parqe, s'kemi lodra, por kemi çmime që do bënin edhe një bankier zviceran të qante në dush."