Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të martën se Rusia nuk dëshiron luftë me vendet europiane, por shtoi se nëse Europa e kërkon një përplasje të tillë, atëherë Moska “është gati që tani të luftojë”. Ai tha se kërkesat e vendeve europiane për një marrëveshje të mundshme paqeje për Ukrainën janë “absolutisht të papranueshme” për Kremlin-in.
Putin ka akuzuar më herët Europën se po pengon propozimet e paqes të ardhura nga SHBA, duke pretenduar se vendet europiane “nuk kanë një axhendë paqësore”. Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Putin po përgatit një “luftë të madhe” në kontinent në vitet 2029 ose 2030.
Pavarësisht sanksioneve të NATO-s, furnizimit me armë të Ukrainës dhe përpjekjeve për negociata, Zelensky thotë se asgjë nuk e ka ndalur Putin-in deri tani, duke kërkuar një qasje më të fortë. Pak ditë më parë, Putin deklaroi se “nuk ka plane të sulmojë Europën”, pasi Franca njoftoi për rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm. Presidenti Emmanuel Macron u shpreh se ky vendim vjen nga frika në rritje për një konflikt të mundshëm me Rusinë, duke shtuar: “Mënyra e vetme për të shmangur rrezikun është të përgatitemi.”
Ndërkohë, Rusia ka refuzuar propozimin 28-pikësh të Europës për paqe, vetëm pak ditë pasi vrau katër persona në një tjetër sulm ajror mbi Ukrainën.
Cilat vende mund të jenë shënjestra e radhës?
Ekspertë të ndryshëm janë përpjekur të parashikojnë se çfarë e pret Ukrainën dhe kontinentin në vitet në vijim. Më herët këtë vit, mediat britanike publikuan një projeksion të ashtuquajtur të “Perandorisë Euroaziatike” të Putin-it, si paralajmërim në përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Ukrainës.
Sipas këtij skenari, i cili nis në maj 2025 dhe shtrihet deri në shtator 2030, Rusia do të ndërmarrë hapa agresivë që çojnë deri te një operacion i ri ushtarak ndaj NATO-s. Një nga momentet kyçe është marrja e Moldavisë përmes rajonit separatist Transnistria, me ndihmën e trupave koreano-veriore të dërguara nga Kim Jong-un.
Zelensky ka paralajmëruar disa herë se pas Ukrainës, shënjestrat e mundshme të Putin mund të jenë Moldavia, Lituania, Letonia dhe Estonia.