“Le të prehet në paqe, pasi vitin e fundit nuk ka qenë i qetë!”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 02.12.2025, 15:38

Në Akademinë Përkujtimore të mbajtur sot në Çair, nëna e artistit të ndjerë Shpat Kasapi, Gjylymsere Kasapi, preku thellë zemrat e të pranishmëve me fjalët e saj të mbushura me dhimbje. Ajo e nisi fjalimin me një falënderim drejtuar mikut të familjes dhe kryetarit të sapozgjedhur të Çairit, Izet Mexhitit, për organizimin e këtij homazhi.

“Faleminderit zotëri Izet Mexhiti, miku im, që organizove këtë eveniment për nder të humbjes së madhe të shpirtit tim, gjysmës së shpirtit tim, Shpatit,” u shpreh ajo mes dëshpërimit.

Duke kujtuar karrierën e saj të gjatë në arsim, Gjylymsere Kasapi pranoi se dhimbja e humbjes së djalit i kishte lënë fjalët pa forcë. Ajo shtoi: “Sot do thoni pse nuk jam në gjendje të flas. 22 vjet kam ligjëruar, por sot ndjej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë. Dhe e dinë të gjitha nënat që e kanë humbur fëmijën e vet.”

Në mes të pikëllimit, ajo shprehu krenarinë për dashurinë e madhe që njerëzit kishin ndaj Shpatit: “Në një aspekt tjetër, jam shumë krenare dhe e lumtur që paskam lindur një djalë, jo vetëm i imi, por i të gjithë juve. Ju e paskeni dashur dhe unë nuk e kam ditur që e keni dashur kaq shumë.”

Ndër momentet më prekëse ishte rrëfimi i saj për vështirësitë e vitit të fundit të jetës së këngëtarit: “Le të prehet në paqe. Le të jetë i qetë atje, pasi vitin e fundit nuk ka qenë i qetë. Kjo ka qenë parandjenjë e gjithë neve që jemi shqetësuar si familje.”

Në mbyllje, Gjylymsere Kasapi bëri një lutje të ndjerë për fëmijët dhe nipërit e saj: “E lus Zotin, me lutjet e mia më të fuqishme që të më ruajë fëmijët e tjerë, dritat e syve: Albinin, Jehonën, nipërit, mbesat, Roelin dhe Selvijen, që do më mbajnë të gjallë nëse jam në jetë tutje. Le të prehet në lulet e xhenetit.”

Shpat Kasapi u përcoll për në banesën e fundit të dielën në Tetovë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar muzikore dhe një familje të pikëlluar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit