Qeveria e Bullgarisë ka tërhequr projektbuxhetin për vitin 2026 pas protestave mbarëkombëtare kundër rritjes së taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore, të cilat qeveria i kishte parashikuar për të mbuluar shpenzimet më të larta publike.
Qeveria e pakicës e kryeministrit Rosen Zhelyazkov i kërkoi parlamentit të tërhiqte projektbuxhetin, duke deklaruar se pas vendimit, kabineti do të nisë një proces të ri hartimi. Plani ishte miratuar në lexim të parë më 18 nëntor.
Mijëra qytetarë dolën në rrugë të hënën në mbrëmje në Sofje dhe në qytete të tjera, duke kundërshtuar rritjen e taksave, kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe duke denoncuar korrupsionin shtetëror. Sipas analistëve, rishikimi i buxhetit do të jetë i vështirë dhe do të përballet me më shumë presion nga sindikatat, bizneset dhe publiku. Rreth gjysma e bullgarëve kundërshtojnë miratimin e euros, nga frika për cenim të sovranitetit dhe rritje të çmimeve.
Protesta e së hënës ishte ndër më të mëdhatë në dekada: rreth 50,000 protestues u mblodhën në Sofje dhe po aq në qytete të tjera. Demonstrata u organizua nga koalicioni kryesor i opozitës, i cili akuzon qeverinë për premtime të parealizuara dhe menaxhim të dobët ekonomik.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe ndjekjen penale të figurave të rëndësishme politike, përfshirë Boyko Borissov dhe Delyan Peevski. Ndërsa tubimi nisi paqësisht, në mbrëmje tensionet u rritën kur grupe të maskuara nisën të djegin kontejnerë, të vandalizojnë mjete policie dhe të sulmojnë zyrat e partive. Policia intervenoi me sprej piper dhe pajisje antitumult.
Opozita akuzoi qeverinë se persona të dhunshëm nuk ishin pjesë e protestuesve, por ishin përdorur për të diskredituar demonstratën.
Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ivan Krastev, paralajmëroi se mungesa e një buxheti të ri mund të ndikojë në pagesat për qytetarët që jetojnë nën kufirin e varfërisë. Ai bëri apel për përgjegjësi politike dhe mbrojtje të grupeve më vulnerabël.
Ndërkohë, presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, paralajmëroi se inflacioni mund të rritet në Bullgari pas kalimit në euro nga 1 Janari, por theksoi se efekti pritet të jetë i përkohshëm.