Mattheo Dimareli po shndërrohet me shpejtësi në një nga emrat më të përfolur të futbollit të të rinjve përtej oqeanit. I lindur në SHBA nga një nënë meksikane dhe një baba shqiptar, 16-vjeçari po tërheq vëmendjen e mediave jo vetëm për talentin e tij të jashtëzakonshëm, por edhe për historinë e veçantë familjare.
Anësori i majtë, i njohur për shpejtësinë, finesën teknike dhe goditjet e fuqishme, ka debutuar së fundmi me kombëtaren U-17 të Meksikës. Vetëm pak ditë më parë, Dimareli shënoi golin e tij të parë me fanellën meksikane në sfidën ndaj Kosta Rikës, duke spikatur menjëherë dhe duke marrë vlerësime të shumta për paraqitjen.
Aktualisht, ai është pjesë e akademisë së Houston Dynamo në MLS, ku ka rënë në sy si një talent në rritje të shpejtë, i konsideruar ndër lojtarët më premtues të gjeneratës së tij.
Ajo që e bën edhe më intriguese karrierën e tij është fakti se në të ardhmen Dimareli mund të përfaqësojë katër ekipe kombëtare: Meksikën, SHBA-të, Shqipërinë ose Greqinë. E ardhmja e tij ndërkombëtare mbetet e hapur, por performancat e fundit tregojnë se ky është një emër që pritet të dëgjohet edhe shumë vite në vazhdim.