SI SOT/ Në nder të Presidentit historik Ibrahim Rugova, Atit të Pavarësisë së Kosovës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 02.12.2025, 15:30

Sot shënohet ditëlindja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, i lindur më 2 dhjetor 1944, një prej figurave më të rëndësishme dhe më me ndikim në historinë moderne shqiptare. Rugova mbetet simboli i rezistencës paqësore dhe i përpjekjes së pandalur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke udhëhequr popullin në periudhat më të vështira të shtypjes serbo–jugosllave. Me vizionin e tij politik, ai arriti të ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës dhe të fitojë mbështetjen e SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë.

Si themelues dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rugova krijoi lëvizjen e parë gjithëpopullore demokratike, duke udhëhequr ndërtimin e institucioneve të para të shtetit paralel dhe duke mbajtur të gjallë aspiratën e pavarësisë nëpërmjet filozofisë së tij të qëndrueshme të rezistencës paqësore. Dy herë President i Republikës së Kosovës, ai mbeti deri në fund figurë unifikuese, simbol i urtësisë, i kulturës dhe i orientimit të vendit drejt Perëndimit. Për kontributin e tij, pas vdekjes u nderua me titullin “Hero i Kosovës”.

Në ditëlindjen e tij, kujtojmë një burrë shteti që i dha identitet të ri politik shqiptarëve të Kosovës dhe u bë zëri i tyre në arenën ndërkombëtare. Ibrahim Rugova mbetet përherë në kujtesën e popullit si “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, një figurë e ndritur që la pas një trashëgimi të fuqishme politike, kulturore dhe kombëtare. Sot, Kosova e nderon duke e kujtuar me respekt, mirënjohje dhe krenari.

Emri dhe vepra e Ibrahim Rugovës mos u harroftë kurrë!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit