Banorët te rruga "Kongresi Manastirit", pranë pediatrisë kanë denoncuar gjendjen e rënduar të trotuareve pas prishjeve të kryera nga Bashkia, të cilat sipas tyre mund të shkaktojnë dëmtime, veçanërisht tek fëmijët. Sipas një banori, gërmadhat e lëna pas nuk janë pastruar dhe nuk janë sistemuar për të qenë të kalueshme, ndërsa beton dhe tela hekuri të mbetur rrezikojnë banorët që kalojnë aty çdo ditë.
Ai shton se trotuari përballë është bllokuar me një rrjet të zënë që pengon lëvizjen e lirë dhe ka qenë në këtë gjendje për rreth një muaj, ndërsa vetë trotuari kryesor është i bllokuar prej një viti pa ndërhyrje nga autoritetet. Banori i bën thirrje organeve përkatëse të marrin masat e nevojshme për pastrimin dhe rikonstruksionin e zonës, për të shmangur incidente të mundshme.
Denoncim:
Përshëndetje, doja të bëja një postim për gërmadhat që lënë pas prishjeve të trotuareve, të cilat mund të bëhen shkak për dëmtimet e fëmijëve të lagjes tonë. Jam banor te lagjia pranë pediatrisë ku kaloj çdo ditë, dhe shikoj "rregullimet" e Bashkisë ku mirë që dëmtojnë aktivitetin e familjarëve për mbijetesë, por dhe nuk impenjohen t’i pastrojnë dhe t’i sistemojnë për të qenë të kalueshme dhe të shmangin incidente të mundshme të banorëve, sidomos të fëmijëve që mund të vriten në betonin dhe telat e hekurit që ka lënë pas Bashkia nga prishjet e bizneseve. Njëkohësisht, trotuarin përballë e kemi të bllokuar me një rrjet të zënë siç duket edhe në video, e cila ka bllokuar rrugën dhe pengon ecjen e lirë të banorëve të lagjes, dhe nuk merret asnjë lloj mase. Ka një muaj që është kështu, trotuari është i bllokuar rreth 1 vit e s’merret asnjë masë për ta liruar.