Shqiptarët renditen të parët mes sipërmarrësve të huaj në Greqi, duke lënë pas me diferencë komunitetet e tjera.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat greke, në vend janë regjistruar 4,460 numra tatimorë të sipërmarrësve shqiptarë, një tregues i qartë i rritjes së ndjeshme të aktivitetit të tyre ekonomik. Media greke thekson:
"Sipërmarrësit shqiptarë në vendin tonë janë në vendin e parë në sektorin e biznesit të huaj, me një diferencë të madhe , pasi në vendin tonë janë regjistruar 4,460 numra tatimorë shqiptarë. Njerëzit që erdhën në vendin tonë dy dhe tre dekada më parë dhe pavarësisht kushteve të vështira, hendekut gjuhësor dhe krizës ekonomike, arritën të qëndronin në këmbët e tyre dhe të krijonin me sukses bizneset e tyre, duke krijuar vende pune dhe duke ofruar shërbime të vlefshme në sektorë që vendasit tani i shmangin".
Valët e para të shqiptarëve mbërritën në Greqi në fillim të viteve 1990, të shtyrë nga kriza ekonomike dhe tranzicioni i vështirë pas rënies së komunizmit. Për vite të tëra, ata punuan kryesisht në ndërtim, bujqësi, shërbime shtëpiake dhe sektorë të tjerë që grekët kishin filluar t’i shmangnin. Sot, shumë prej tyre janë pronarë kompanish ndërtimi apo biznesmenë në sektorin e bujqësisë dhe produktit të freskët.
Sipërmarrësit shqiptarë jo vetëm që kanë konsoliduar ekonominë e familjeve të tyre, por kanë krijuar edhe vende pune për grekë dhe emigrantë të tjerë, duke u shndërruar në një faktor të rëndësishëm të zhvillimit lokal. Shumë prej tyre që filluan me punë ditore sot drejtojnë biznese të licencuara që paguajnë taksa dhe kontribute, duke ndikuar drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit grek.
Sipas vlerësimeve të tregut, shqiptarët janë veçanërisht aktivë në sektorë si ndërtimi dhe rinovimet, shërbime teknike (hidraulikë, elektricistë, pikturues), bujqësi dhe punime sezonale, transport i vogël dhe logjistikë, restorante, furra dhe njësi ushqimore, pastrim, mirëmbajtje dhe shërbime shtëpiake – pra, në shumë prej sektorëve që vendasit i shmangin.
Fakti që shqiptarët mbajnë vendin e parë ndër sipërmarrësit e huaj, më shumë se tre dekada pas mbërritjes së tyre në Greqi, vlerësohet si një tregues i fortë i integrimit dhe i aftësisë për të kapërcyer sfidat e emigrimit.