Banorët e rrugës Sazani në qytetin e Vlorës prej dy muajsh po përballen me një problem që, ndonëse mund të duket i thjeshtë, për ta është kthyer në një shqetësim serioz.
Një tub i çarë në këtë rrugë ka shndërruar zonën në një “shatërvan” të përhershëm, i cili mbush rrugën me ujë dhe pengon normalitetin e përditshëm. Ky grumbullim uji vështirëson kalimin, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit që e frekuentojnë shpesh këtë segment.
Banorët thonë se kanë paraqitur disa herë ankesa pranë Bashkisë së Vlorës, por deri më tani ato janë injoruar. Ata kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problemit, duke theksuar se bukuria e një qyteti bregdetar nuk duhet të cenohet nga neglizhenca institucionale.