Vodhi 50 € nga ‘derrkuci’ i ministres belge, shqiptari rrezikon burg dhe gjobë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 02.12.2025, 10:55

Një shtetas shqiptar rrezikon një vit burg dhe një gjobë prej 1.600 eurosh në Belgjikë, pasi akuzohet për thyerje shtëpie në banesën e ministres flamande, Zuhal Demir, në Genk, më 7 janar 2023. Sipas prokurorisë, ai kishte kaluar mbi rrethim dhe kishte hyrë në shtëpi përmes një dritareje, ku kontrolloi ambientet dhe vodhi 50 euro nga një “derrkuc kursimesh”. Hetuesit e identifikuan përmes gjurmëve të ADN-së të gjetura në vendngjarje.

I pandehuri është i njohur nga autoritetet belgë për vepra të ngjashme; më herët kishte kryer vjedhje në janar dhe shkurt 2024, për të cilat ishte dënuar me tre vite burg. Ai njihet gjithashtu nga autoritetet në Gjermani dhe Spanjë.

Prokurori i Tongerenit kërkon një dënim prej një viti burg dhe një gjobë prej 1.600 eurosh, duke theksuar se vjedhja në shtëpinë e dikujt cenon ndjeshëm ndjenjën e sigurisë. Ndërkohë, shqiptari u lirua muajin e kaluar me kusht dhe është kthyer në Shqipëri. Për shkak të ndalimit të hyrjes në BE, ai nuk ishte i pranishëm në gjykatë gjatë shqyrtimit të dosjes.

Avokatja e tij ka kërkuar që dënimi i ri të shkrihet me atë të mëparshëm ose të pranohet një deklarim fajësie, duke argumentuar se klienti i saj ka rregulluar jetën në Shqipëri, jeton me familjen dhe punon, dhe se nuk është në interesin e askujt që ai të kthehet në Belgjikë për një dënim shtesë. Ministrja Demir nuk është paraqitur si palë civile. Vendimi i gjykatës pritet më 5 janar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit