Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë sot nëse do të pranojë për shqyrtim kërkesën e qeverisë, e cila kundërshton pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e ministres dhe zëvendëskryeministres, vendim i marrë më herët nga GJKKO. Seanca paraprake ishte planifikuar më herët, por u shty për datën 2 dhjetor për shkak të ndryshimeve në trupën gjykuese. Pas largimit të gjyqtares Holta Zaçaj, ajo u zëvendësua nga Asim Vokshi, dhe gjyqtarja Marsida Xhaferllari kërkoi kohë shtesë për t’u njohur me dokumentet e çështjes.
Gjykata mund të marrë sot vendim edhe për kërkesën e qeverisë që kërkon pezullimin e menjëhershëm të vendimit të GJKKO-së, derisa çështja të shqyrtohet në themel. Procedurat kanë marrë vëmendje të lartë publike, pasi vendimi i Kushtetueses mund të ndikojë drejtpërdrejt në vazhdimësinë e detyrës së Ballukut dhe në marrëdhëniet ndërinstitucionale mes qeverisë dhe drejtësisë.
Belinda Balluku u pezullua nga detyra pasi u mor e pandehur për tenderin 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë dhe dyshohet gjithashtu për ndërhyrje në tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe. Sipas SPAK, në të dy procedurat, me vlerë totale 210 milionë euro, ajo ka paracaktuar fituesit përmes ndërhyrjes në proces. Çështja tashmë është në duart e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Ballukut i është hequr edhe e drejta e firmës nga qeveria.