Aksesueshmëria në infrastrukturën publike dhe transport është thelbësore për përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuara (PAK), por në Shqipëri kjo mbetet një sfidë e madhe. Një audit i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) zbulon se masat e ndërmarra deri tani janë zbatuar vetëm pjesërisht, në mënyrë të fragmentuar dhe pa koordinim ndërinstitucional. Sipas raportit, vendi ende nuk ka një orientim strategjik të qartë, ndërsa ndikimi i ndërhyrjeve ka qenë minimal.
Në infrastrukturën publike urbane evidentohen mangësi serioze. Shpesh mungojnë standardet e detyrueshme të aksesueshmërisë në fazat e planifikimit apo dhënies së lejeve të ndërtimit. Ndërhyrjet e kryera, përfshirë rampat, sinjalistikën, trotuaret e përshtatshme dhe kalimet për këmbësorë, rezultojnë të shpërndara në mënyrë sporadike dhe shpesh nuk respektojnë kriteret teknike. Në disa zona, hapësirat publike janë jo vetëm të papërshtatshme, por edhe të bllokuara nga përdorime të paligjshme, ndërsa mungesa e mirëmbajtjes ka rënduar situatën.
Edhe transporti publik rrugor përballet me probleme të thella. Shqipëria ende nuk ka një kuadër ligjor të harmonizuar me rregulloret e Bashkimit Evropian apo standardet e Kombeve të Bashkuara për aksesueshmëri. Ligji aktual për transportin rrugor nuk parashikon detyrime të qarta për përshtatjen e mjeteve dhe shërbimeve për PAK. Sipas KLSH-së, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka marrë masa konkrete për integrimin e kritereve të aksesueshmërisë në licencimin e operatorëve, në kontrollin teknik të mjeteve apo në zhvillimin e shërbimeve alternative, si transporti “derë më derë”. Po ashtu, mungojnë udhëzues dhe materiale informuese që ndihmojnë PAK në përdorimin e transportit publik.
Një masë e rëndësishme e Planit Kombëtar – rimbursimi i shpenzimeve të transportit për PAK – nuk është zbatuar, si pasojë e mungesës së angazhimit institucional dhe koordinimit ndërmjet aktorëve përgjegjës.
Situata nuk ndryshon shumë as në nivel vendor. Bashkitë, sipas auditimit, nuk kanë zhvilluar politika të qëndrueshme dhe ndërhyrjet e kryera janë të kufizuara, të paorganizuara dhe jashtë një strategjie të unifikuar. Mungojnë struktura të specializuara, pika fokale dhe mekanizma vlerësimi apo raportimi të progresit. Vetë njësitë vendore nuk kanë përfituar mbështetjen e duhur teknike dhe financiare nga institucionet qendrore.
Raporti thekson gjithashtu se nuk ekziston një mekanizëm efektiv për trajtimin e ankesave të PAK. Institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, nuk kanë krijuar sisteme të posaçme për monitorimin e barrierave, publikimin e të dhënave apo analizimin e rasteve të diskriminimit në sektorin e infrastrukturës dhe transportit.
Sipas KLSH-së, adresimi i këtyre mangësive mbetet urgjent nëse vendi synon të sigurojë pjesëmarrje të barabartë dhe cilësi më të mirë jete për personat me aftësi të kufizuara.