Ceremonia e lamtumirës për biznesmenin Edmond Hyka (i njohur si Mondi Mëhalla), 43 vjeç, do të zhvillohet sot nën masa të rrepta sigurie, ndërsa policia vijon operacionet për identifikimin e autorëve të atentatit. Ngjarja ka tensionuar situatën në Elbasan dhe hetimet po shtrihen në disa qytete të vendit.
Mbrëmjen e kaluar, policia shoqëroi për t’u marrë në pyetje Naldo Gjinin nga Lezha, i cili dyshohet se mund të ketë dijeni për një konflikt të fundit që viktima kishte pasur pak ditë para vrasjes. Ai është emri i parë që po verifikohet si i mundshëm i përfshirë në ekzekutimin e dyshuar mafioz, ndërsa strukturat e rendit po vijojnë kontrolle të zgjeruara.
Vrasja ndodhi mbrëmjen e 30 nëntorit, kur Hyka u ekzekutua brenda makinës së tij Range Rover, në lagjen “Emin Matraxhiu” të Elbasanit, sapo ishte futur në automjet pas daljes nga zyra. Ai u qëllua me tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke humbur jetën në vend. Autorët u larguan me një Audi të zi drejt aksit Elbasan–Librazhd, ndërsa grupi hetimor i Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.