Ndonëse “Lali” është në burg, Bashkia Tiranë vjedh 113 milionë lekë me tenderin e vaditjes

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 01.12.2025, 21:21

Bashkia e Tiranës vazhdon të prodhojë tendera të dyshimtë njëri pas tjetrit, edhe pse kryetari i saj, Erion Veliaj, ndodhet prej muajsh në burg. Këtë herë, bëhet fjalë për një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit, për instalimin e një sistemi vaditës në një sipërfaqe prej vetëm 4,373 m² lulishtesh.

Sipas dokumentacionit të siguruar nga JOQ Albania, tenderi është shpallur fitues nga kompania EVEREST, në pronësi të familjeve Çupaj dhe Valteraj, me vlerën 9,457,299 lekë pa TVSH, që përkthehet në gati 113 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Nga ana tjetër, fondi limit i tenderit ishte 9,682,933.04 lekë pa TVSH, pra rreth 116 milionë lekë të vjetra me TVSH. Oferta fituese arrin në rreth 97.7% të fondit limit, një tregues klasik i një gare të dyshimtë, ku fituesi thuajse prek “tavanin” e parashikuar nga vetë bashkia.

Dokumentet tregojnë se në tender kanë marrë pjesë vetëm tre kompani, një numër minimal që shpesh ngre pikëpyetje për konkurencën reale.

Edhe më shqetësuese është fakti se kompania fituese ka ofruar vlerën më të lartë nga të treja. Madje, sipas dokumentacionit të hulumtuar nga JOQ Albania, diferenca mes ofertës fituese dhe ofertës më të ulët është pothuaj 60 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Një diferencë kaq e madhe, për një projekt si sistemi vaditës për disa mijëra metra katrorë lulishte, ngre dyshime serioze për fryrje të kostove dhe mungesë konkurrimi real.

Ironia e situatës qëndron në faktin se, ndonëse kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në burg, praktikat e prokurimeve me rezultate të dyshimta duket se vazhdojnë normalisht.

Duket qartë se skemat e vjetra nuk janë prekur aspak, dhe aparati i bashkisë vazhdon të funksionojë me të njëjtën logjikë të shpenzimit të parave publike përmes procedurave ku fiton gjithmonë “i njëjti rreth”.

Në një kohë kur qytetarët e Tiranës përballen me taksa të larta, çmime të rritura dhe mungesë transparence, tenderat e tillë nuk bëjnë gjë tjetër veçse thellojnë dyshimet mbi mënyrën se si shpenzohen fondet publike në kryeqytet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit