Atentati në Elbasan, një tjetër makinë sekuestrohet në Durrës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 01.12.2025, 17:48

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ekzekutimin mafioz të ndodhur mbrëmjen e së dielës në Elbasan, ku humbi jetën 43-vjeçari Edmond Hyka, alias Mondi Mëhalla. Ai u qëllua menjëherë sapo u fut në automjetin e tij, pasi kishte dalë nga zyra e njërit prej bizneseve të tij.

Policia ka nisur kërkimet për autorët e dyshuar dhe po verifikon disa automjete tip “Audi”, të ngjashme me atë që është fiksuar nga kamerat e sigurisë dhe që mendohet se është përdorur nga atentatorët. Përveç një “Audi”-i të gjetur të djegur në Mirakë, raportohet se është identifikuar edhe një tjetër automjet i dyshuar, i cili është sekuestruar në qytetin e Durrësit për ekspertizë të plotë. Dyshohet se ky mjet mund të jetë përdorur gjatë fazës përgatitore ose pas ekzekutimit.

Të dy automjetet po analizohen nga ekspertët e kriminalistikës për gjurmë biologjike, daktiloskopike dhe prova të tjera materiale që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Vrasja ndodhi rreth orës 20:35 të së dielës, pranë biznesit të tij në Unazën Jugore të Elbasanit. Mëhalla është qëlluar me tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, çka sugjeron një ekzekutim të mirëorganizuar. Përplasja që ai pati disa ditë më parë, për arsye ende të paqarta, po konsiderohet nga hetuesit si një ndër pistat kryesore.

Gjatë ditës së sotme, në Mirakë u gjet një “Audi” i djegur plotësisht, i dyshuar si mjeti me të cilin atentatorët u larguan nga vendngjarja. Ky zbulim, së bashku me automjetin e sekuestruar në Durrës, po shihet si element kyç për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.

Ndërkohë, policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në daljet e qytetit dhe po zhvillon kontrolle intensive në terren, në banesa dhe rrugë dytësore. Deri tani janë shoqëruar të paktën 15 persona të cilët po merren në pyetje për të ndihmuar në zbardhjen e rrethanave të vrasjes.

Hetimet po vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa autorët mbeten ende të paidentifikuar. Edhe dëshmitë e personave të shoqëruar deri tani nuk kanë dhënë indicie të qarta mbi motivin apo autorësinë e ngjarjes. Në pyetje janë marrë edhe të afërmit e viktimës, të cilët mund të ndihmojnë në sqarimin e konflikteve apo problemeve që 43-vjeçari mund të ketë pasur së fundmi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit