Pensionistët presin bonusin, posta Librazhd e mbyllur ajo e Astirit s’ka para

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 01.12.2025, 14:36

Sot ishte dita kur, sipas njoftimeve plot krenari të qeverisë, pensionistët duhet të merrnin “dhuratën” e fundvitit. E quajtur zyrtarisht “bonus”, por në praktikë më shumë ngjan me një bakshish të ndrojtur, kjo shumë modeste u paraqit si një akt madhështor bujarie. Mirëpo realiteti, si zakonisht, nuk u përshtat me skenarin festiv dhe propagandën e qeverisë.

Në Librazhd, posta është mbyllur pikërisht ditën kur qytetarët duhej të merrnin bonuset. Pensionistët, shumë prej të cilëve me probleme shëndetësore dhe të pamundur për të qëndruar në radhë të gjata, mbetën përpara derës së mbyllur, pa asnjë sqarim dhe pa asnjë zgjidhje. Asnjë informacion zyrtar, asnjë paralajmërim, asnjë zë përgjegjësie nga institucionet.

Në Astir, situata është edhe më festive, posta nuk ka para. Pensionistët detyrohen të kthehen mbrapsht, të presin në paqartësi, ose të rrinë në radhë me orë të tëra për të marrë një shumë të vogël, të cilën qeveria e paraqet si akt solidariteti ndërkohë që nuk garanton as funksionimin minimal të shërbimeve.

Ndërkohë, qeveria vazhdon të flasë për “suksese sociale” sikur fluturon në lartësi të mëdha, dhe mbase edhe fluturon vërtet… sepse me këto probleme nuk merret askush. Menaxhimi i shpërndarjes së një bonusi minimal është shndërruar në një provë e cila, dukshëm, është më e vështirë se modernizimi i ekonomikës, gradat e zhvillimit apo retorika në konferenca.

Pensionistët, në vend të gëzimit të fundvitit, marrin në dorë një pritje të gjatë, një derë të mbyllur dhe një mungesë totale përgjegjësie. Po, bonuset janë të vogla, por duket se edhe organizimi për shpërndarjen e tyre është edhe më i vogël.

Dhe kështu, teksa qeveria ngre dolli për sukseset e saj, pensionistët presin akoma që dikush t’ju hapë derën. Në fund të fundit, s’ka asgjë që i bashkon njerëzit më shumë se pritja përpara një sporteli që s’ka as para, as staf, as përgjegjësi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit