Banorët e fshatit turistik Gjinar, në Elbasan, kanë ngritur shqetësimin për gjendjen alarmante të rrugës që të çon drejt liqenit të Pashtreshit, një nga pikat më të vizituara të zonës. Sipas tyre, një pjesë e rrugës është dëmtuar rëndë, është çarë dhe rrezikon shembjen, duke vënë në rrezik jetën e banorëve dhe të turistëve që e frekuentojnë çdo ditë.
Ata tregojnë se situata përkeqësohet dita ditës, ndërsa deri tani nuk është marrë asnjë masë për riparimin e saj. Banorët udhëtojnë çdo ditë në këtë segment dhe theksojnë se ekziston rreziku real që mjetet të rrëshqasin ose të bien në humnerë për shkak të dëmtimit të rrugës.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura drejtuar bashkisë dhe institucioneve përgjegjëse, nuk është ndërhyrë për të parandaluar një situatë që mund të shkaktojë pasoja serioze si dëmtime fizike apo bllokim të qarkullimit.