Një ngjarje tronditëse që ka prekur Austrinë dhe Slloveninë ndodhet aktualisht në qendër të hetimeve, pasi trupi i influencueses 31-vjeçares Stefanie Pieper, u gjet i fshehur në një valixhe në një zonë pyjore në Slloveni.
E reja rezultoi e zhdukur më 23 nëntor, vetëm disa orë pasi ishte kthyer në banesën e saj pas një feste të Krishtlindjes. Sipas policisë së Styrias, Pieper e njohur për përmbajtjen e saj mbi grimin, modën dhe muzikën në rrjetet sociale fillimisht i kishte dërguar një shoqeje një mesazh ku siguronte se kishte mbërritur në shtëpi pa probleme. Por pak më vonë dërgoi një mesazh të dytë shqetësues, duke shprehur frikën se “dikush ndodhej në shkallët” e ndërtesës së saj.
Raportime nga mediat vendese tregojnë se fqinjët kishin dëgjuar zhurma të forta dhe kishin parë në ndërtesë ish-partnerin e saj. Kur familjarët dhe kolegët nuk arritën të kontaktonin me të dhe ajo nuk u paraqit në punë, u shpall zyrtarisht e zhdukur.
Hetimet çuan në arrestimin e ish-partnerit 31-vjeçar të saj në Slloveni, pranë një automjeti të djegur që i përkiste atij. Policia njoftoi se burri kishte udhëtuar disa herë drejt zonës ku u gjet mjeti. Sipas autoriteteve sllovene, më 24 nëntor një makinë kishte marrë flakë në parkingun e një kazinoje pranë kufirit, dhe ajo rezultoi të ishte në pronësi të të dyshuarit.
Pas arrestimit, ai u ekstradua në Austri dhe thuhet se ka bashkëpunuar gjatë marrjes në pyetje. Kronen Zeitung raporton se i dyshuari dyshohet të ketë pranuar se e kishte mbytur Pieperin, kishte futur trupin e saj në një valixhe dhe e kishte braktisur në një pyll, duke orientuar më pas policinë drejt vendit ku ndodhej trupi.
Autoritetet kanë konfirmuar gjithashtu arrestimin e dy të afërmve meshkuj të të dyshuarit, të cilët dyshohet të kenë lidhje me rastin. Hetimet vijojnë në Austri dhe Slloveni, me bashkëpunim të ngushtë mes dy agjencive për të zbardhur plotësisht ngjarjen.