Ajax u detyrua të ndërpresë përballjen e kampionatit kundër Groningen mbrëmjen e së dielës, pasi tifozët ndezën qindra mjete piroteknike në shkallët e “Johan Cruyff Arena”, duke e shndërruar stadiumin në një “ferr” të vërtetë. Spektakli i befasishëm me fishekzjarre dhe flakadanë shpërtheu vetëm pas pesë minutash lojë në sfidën e Eredivisie-s, me bubullima aq të forta sa të dyja skuadrat u ndalën në vend.
Takimi u pezullua menjëherë dhe lojtarët u rikthyen në tunel. Sipas raportimeve, koreografia piroteknike ishte në nderim të një tifozi të ndjerë të Ajax-it, por klubi reagoi ashpër pas ndërprerjes së detyruar të ndeshjes.
“Ajax e konsideron absolutisht skandaloze atë që ka ndodhur sonte në stadium. Kërkojmë falje për këdo që është prekur në çfarëdo mënyre nga ky incident. Siguria e spektatorëve dhe lojtarëve është cenuar. Kjo është e papranueshme. Ne e dënojmë fuqimisht këtë sjellje të pahijshme. Fishekzjarrët nuk kanë vend në stadium. Spektatorët në sektorin e prekur u kontrolluan. U përdorën edhe qen për të zbuluar fishekzjarre, si para hapjes së stadiumit ashtu edhe gjatë hyrjes së tifozëve. U morën masa të tjera parandaluese. Megjithatë, nuk arritëm ta parandalonim situatën. Do të studiojmë pamjet e kamerave për të zbuluar autorët dhe do të hetojmë edhe në mënyra të tjera se kush është përgjegjës. Nëse identifikohen autorët, do të marrim masat e duhura”, shkroi klubi i Ajax në ‘X’.